#krejtdhedrejt

Biografia

Hajrulla Çeku ka studiuar Shkencë Politike në Universitetin e Prishtinës dhe ka magjistruar në Qeverisje dhe Zhvillim Lokal në Universitetin e Trentos, Itali dhe Universitetin e Regensburgut, Gjermani. Për 15 vjet ka qenë pjesë e shoqërisë civile i angazhuar në çështje të trashëgimisë kulturore, turizmit, plnaifikimit urban dhe mjedisit. Hajrullau ka qenë i përfshirë në shumë nisma qytetare për mbrojtjen e strukturës urbane të qyteteve të Kosovës, si në Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Vushtrri dhe të tjera. Qasja komunitare dhe fuqizimi i grupeve të pambrojtura dhe pa zë kanë qenë shtylla të veprimtarisë së tij.

Përgjatë viteve ka qenë i angazhuar në shumë organizata vendore dhe ndërkombëtare, në mesin e të cilave edhe Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, Klubi për Politikë të Jashtme dhe EC Ma Ndryshe. Në cilësi të anëtarit të bordit ka qenë dhe vazhdon të jetë i angazhuar në këto organizata vendore, rajonale dhe ndërkombëtare: Shoqata e Udhërrëfyesve të Kosovës (GUIDEKS), Magazina Kosovo 2.0, Rrjeti Rajonal i Trashëgimisë Kulturore (SEE Heritage, Kotor), Rrjeti Ndërkombëtar i Arkitekturës Tradicionale dhe Urbanizmit (INTBAU, London), Fondacioni Lumbardhi, Platforma Civikos, Forumi Kulturor (Rrjet i organizatave të kulturës në Kosovë), Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT).

Një kohë ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Kosovar të Turizmit, institucion shtetëror këshillëdhenës për politikat e turizmit në Kosovë. Gjithashtu, në cilësinë e ekspertit të jashtëm si pjesë e një ekipi ndërkombëtar ka përkrahur hartimin e politikës nacionale për konservim të integruar të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Rishtazi ka shërbyer edhe në qeverinë e Shqipërisë në cilësinë e zëvendës ministrit të turizmit dhe mjedisit. Gjatë kohës së shërbimit në Shqipëri ka qenë drejtues i Task Forcës Kombëtare për menaxhimin e sezonit turistik, si edhe pjesë e Bordeve drejtuese të dy institucioneve të rëndësishme, Agjencisë së Aviacionit Civil dhe Fondit Shqiptar për Zhvillim.

Hajrullau ka pëfunduar disa programe ndërkombëtare të aftësimit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të drejtat e njeriut, menaxhimin e turizmit, shkathtësitë e lidershipit në Shtetet e Bashkuara, Maltë, Gjermani, Belgjikë, Kroaci dhe Francë. Ka qenë pjesë e projekteve hulumtuese dhe ka publikuar gjerësisht mbi qeverisjen dhe zhvillimin lokal, menaxhimin e trashëgimisë kulturore, planifikimin urban, aktivizmin dhe zhvillimin e shoqërise civile. Në punën e tij profesionale ka qenë i angazhuar si ekspert i jashtëm nga një numër i organizatave ndërkombëtare, si Swiss Helvetas (Kosovë), National Democratic Institute (NDI Kosovë), United Nations Development Program (UNDP Kosovë), Transparency International (Berlin), CIVICUS, Swedish International Development Agency (SIDA Kosovë), Initiative & Referendum Institute Europe, Regional Rural Development Standing Working Group in South Eastern Europe (Shkup), Council of Europe (Prishtinë), Lieux publics / IN SITU Platform (Francë).

Hajrullau është i martuar me Eli Gashin dhe kanë një vajzë, Mian. Është i lindur në Prizren në vitin 1983. Përveç gjuhës amtare, i flet edhe anglishtën, turqishtën dhe serbishtën.

#krejtdhedrejt